“RRUGA DREJT SUKSESIT” 2019

Në datat 8, 9 dhe 10 Nëntor u organizua në Tiranë event-trajnimi “Rruga Drejt Suksesit” nga Vasil Naçi. Në edicionin e katërt të tij, “Rruga Drejt Suksesit” solli së bashku mbi 2,000 persona nga organizata biznesi, sipërmarrës, profesionistë të fushave të ndryshme, studentë dhe dashamirës të eventeve dedikuar rritjes dhe zhvillimit. 


Në qendër të këtij eventi ishte “Formula e Suksesit”, e ndërtuar mbi përvojën dhe njohuritë e Vasil Naçit dhe praktikat e mësimet më të mira të trajnuesve me famë botërore në fushat e biznesit, rritjes dhe zhvillimit. Pjesëmarrësit patën mundësi që në tre ditë të mësojnë për aspekte të rëndësishme të suksesit dhe të punojnë konkretisht për të reflektuar e përcaktuar objektivat dhe rrugën për t’i arritur ato. E gjithë kjo përmes një procesi reflektimi: kush jam, çfarë vizioni dhe objektivash kam për jetën, cilat janë besimet dhe bindjet e mia, cilat janë zakonet, vendimet dhe veprimet që ndërmarr çdo ditë? A më çojnë zakonet dhe vendimet e mia tek suksesi që dëshiroj të arrij? Çfarë duhet të ndryshoj në jetën time?


“Formula e Suksesit” tregon se suksesi dhe zhvillimi arrihet duke ndryshuar mënyrën e të menduarit e rrjedhimisht veprimet dhe sjelljen. Nëse secili prej nesh bëhet përditë pak më i mirë sesa një ditë më parë, natyrshëm jeta do të përmirësohet. Arritja e potencialit njerëzor është një proces që nuk ka fund. Mënyra e vetme për të shumëfishuar suksesin është shumëfishimi i investimit tek zhvillimi personal.


“Nëse e dëshironi rritjen, ju duhet të keni dhe të ndiqni një plan për të. Ky duhet të jetë një proces i natyrshëm dhe i ndërgjegjshëm. Këtu nuk mund të zgjedhim rrugën e shkurtër. Nevojitet përgatitje e vazhdueshme, sepse kur shfaqet një mundësi, është tepër vonë për t’u përgatitur. 

Çdo njeri ka potencialin për t’u bërë ekspert në diçka. Sekreti qëndron në gjetjen e dhuntive të lindura dhe punën për t’i zhvilluar ato”- theksoi z. Naçi.
Të qenit lider i jetës, si dhe një lider i mirë për skuadrën apo organizatën që drejton, ishte gjithashtu një nga shtyllat kryesore të “Rruga Drejt Suksesit”. Lidershipi është zgjedhje, nuk është pozicion. Është një vendim, i cili fillon nga brenda çdokujt. Lidershipi nuk lidhet vetëm me personin në krye, por është një mundësi për të gjithë njerëzit në organizatë. Të jesh lider do të thotë të japësh shembullin personal, të ndikosh jo thjesht nëpërmjet pozicionit, por me anë të ekspertizës dhe personalitetit.

Në këtë event pjesëmarrësit patën mundësinë të ndiqnin edhe fjalën e disa të ftuarve, individë të suksesshëm nga fusha të ndryshme të sipërmarrjes, zhvillimit personal dhe shërimit alternativ, si: Mirela Sula, Sheki Useini dhe Hetem Ramadani.


“Rruga Drejt Suksesit”, ky program tre ditor plot energji pozitive, dinamizëm, informacion dhe shembuj motivues, ofroi një mundësi unike për pjesëmarrësit për të modeluar të ardhmen mbi parime të provuara për suksesin në jetën personale dhe profesionale. Çdo sekondë e këtij programi tre ditor mbarti nivelin më të lartë të energjisë. Dedikuar të gjithë atyre që aspirojnë për më shumë rritje dhe që besojnë te potenciali i pafundëm njerëzor, “Rruga Drejt Suksesit” ishte vendi i duhur për të nisur rrugëtimin drejt suksesit, apo për të hedhur një tjetër hap drejt arritjes së rradhës.


Përveç kontributit në rritjen dhe zhvillimin e njerëzve që duan suksesin, ky event-trajnim ka edhe një tjetër dimension shumë të rëndësishëm: kontributin për njerëzit në nevojë. Ashtu si edhe vitet e mëparshme, të ardhurat nga ky eventtrajnim do të shkojnë për një projekt bamirësie.